Një burrë në periferi të Dresdenit të Gjermanisë ishte duke shëtitur qenin nëpër male, kur hasi në diçka që e la pa tekst.
Ai në fakt, kishte parë një veturë me bagazhin e hapur. Brenda saj ishte trupi i një femre i larë në gjak, transmeton Telegrafi.
“Fillimisht mendova se mund të ketë qenë ndonjë gjuetar i plagosur, i cili kishte qëlluar aksidentalisht veten gjatë gjuetisë. Kishte gjak gjithkund, dhe për një moment jam larguar nga vetura, në mënyrë që qeni të mos i prishë gjurmët dhe dëshmitë”, ka deklaruar ky burrë.
Ai menjëherë i kishte telefonuar policisë dhe ndihmës së shpejtë, por gruaja nuk kishte pasur shpëtim. Mjekët vetëm sa konstatuan vdekjen e saj.
Ndërkaq zëdhënësja e policisë Joana Ulrich, ka thënë se brenda veturës kanë gjetur edhe një fëmijë të porsalindur. Vogëlushi ishte i mbështjellë me batanije i cili me urgjencë është dërguar në spital. Raportohet se ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas përfundimit të hetimeve, është konstatuar se kishte vdekur një grua 38-vjeçe e identifikuar si Katarina K nga Kosvigu. Ajo kishte dalë nga shtëpia një natë më herë, dhe kur në mëngjes nuk u kthye në shtëpi, partneri i saj e kishte lajmëruar rastin në polici.
Raporti i autopsisë ka treguar se kjo grua kishte vdekur si pasojë e komplikimeve gjatë lindjes. /Telegrafi/