Një shoqëri, komb a shtet, për të jetuar në liri, duhet të refuzoj nënshtrimin. Cilido qoftë ai. Asnjë çmim s’e arsyeton nënshtrimin, shitjen e vullnetit politik dhe qytetar. Kjo është premisa e parë për të krijuar një shoqëri me vlera dhe parime të shëndosha, një shoqëri të shëndoshë dhe me një sistem te konsoliduar demokratik. Një shoqëri për të gjithë, në të cilën të gjithë kontribuojnë dhe nga e cila, të gjithë përfitojnë. Një shoqëri, ku shteti është për çdo kënd dhe çdo herë.
A është Kosova e tillë? Mendjet racionale as që duan të diskutojnë për këtë, sepse e vërteta është aq ndryshe, sa të kap trishtimi. Për çdo qytetar të Kosovës, pyetja, nëse ka demokraci të shëndoshë në këtë vend, është shndërruar në makth. Në makth është shndërruar edhe vetë çështja e ekzistencës së shtetit të Kosovës. Prandaj, për t’i dhënë fund kësaj anarkie, e cila po sundon ne ketë vend të mrekullueshëm; me i dhënë fund këtij dëshpërimi, qe ka triumfuar mbi idealet tona; me i dhënë fund kësaj lufte politike të pashembullt që zhvillohet këtu, pa asnjë parim e asnjë vlerë; me i dhënë fund kësaj prapambeturi e këtij dembellëku oriental, shqiptarët e mirë duhet të refuzojnë nënshtrimin. Ndërsa elitat intelektuale, duhet të dijë të formësojë një shpirt kreativ, një kulturë të sistemit, përkundër asaj të anarkisë, instikteve dhe heshtjes që po na përcjell dhe ngulfat.
Kosova ka nevojë për një mentalitet të ri udhëheqës, i cili, me mençuri, kreativitet dhe mendësi sistematik, do të krijonte mundësi që këtë vend të mrekullueshëm, ta rikthejë në binaret e vlerave të dëshmuara perëndimore. Thuhet me të drejtë se çdo punë e mirë, e ka statusin e tillë vetëm kur vihet në raport krahasimi me tjera, të mira, më të mira e të dëshmuara. Në fakt, Kosova, për shkak të një historie më se tragjike, vështirë mund të krahasohet me ndonjë vend, brenda përkatësisë evropiane, ku është dhe gjallon. E, ku aspiron të jetë përfundimisht.
Kosova është duke u mëkëmbur nga e kaluara dhe vitet e mungesës. Prandaj, është ky rrugëtim me rreziqe të mëdha, kur mund të bëhen gabime të pariparueshme. Ashtu sikur një fëmije të njomë që i duhen këpucë stabile, përkujdesje, kur fillon të ecë, ashtu vendit tonë i duhet një elitë politike e mençur, një elitë politike e aftë, një elitë politike e guximshme, e cila do të dijë t’i jetësoj idetë dhe idealet perëndimore, për shtetin tonë dhe të ardhmen e tij.
Kosova e nesërme, Kosova e ardhme, varet edhe prej nesh, prej veprimeve tona, prej ideve tona, prej punëve tona, prej vullnetit tonë. Për tu krijuar kushtet që të ndodhë kjo, duhet besuar në forcën e ndryshimeve. Ndërkaq pikërisht në këtë mund të na ndihmoj e kaluara. Në këtë kontekst, në shërben një referencë e At Gjergj Fishtës, kur shkruante se: “Per me sundue nji shtet, nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakcilleku, rena, trathtija; duhet ndere, dije, urti, burni: qe se shka duhet”. Këto që duhen për të qeverisur një shtet, vendit tonë, ka kohë që i mungojnë, prandaj, te ne, ndjehet ankthshëm dhe në çdo segment, mungesa e shtetit. Apo, në variante tjera, shteti për ne, thënë me gjuhën popullore, është bërë një njerkë, që përkund kur nuk duhet dhe i lë në vaj, pikërisht kur duhet. Pikërisht kjo gjendje, duhet të jetë motiv për mendjet e ndritura, për të refuzuar këtë logjike të krijimit të shtetit dhe për të synuar gjallërimin e ideve dhe idealeve për një vend, me plotë kuptimin e fjalës, demokratik, evropian dhe në funksion të interesave të përbashkëta.
Tanimë është bërë klishe të thuhet se Kosova këtë herë ndodhet para sfidave të mëdha, para punëve të mëdha, para përgjegjësive të mëdha. Ç’është e vërteta, Kosova ka kohë që ndodhet nëpër sfida. Mirëpo që të tejkalohen këto sfida duhet populli të merr guximin për të vepruar ndryshe, që sfidat të mos përdorën si instrumente për abuzime me votën e tyre, me lirinë e tyre, me ardhmërinë e tyre, duhet tejkaluar sfidën e gjitha sfidave, parakushtin e gjitha parakushteve. Me ditë me jetua të lirë dhe me veprua të lirë. Prandaj, sfida me e madhe për Kosovën është tejkalimi i mendësisë klanore, farefisnore, mentalitetin joevropian. Sfida më serioze për Kosovën është, ta funksionalizojë mentalitetin dhe kulturën perëndimore, si pjese e mendësisë shqiptare, të mentalitetit shqiptar, të konceptit për shtetin, për kombin, për shoqërinë dhe për politikën.
Nga empirikët e dimë se shtetet ecin para jo me rrahagjoks, por nga njerëz të zotë, që vënë në ballë inteligjencën. Vetëm atëherë shpresat për një Kosovë sic e kanë ëndërruar shumë breza, mund të sendërtohet.
Ne kemi një politike dhe elitë, e cila, deri me tani, është bërë rob i mentalitet farefis-nillekut, primitivizmit, ideve fundamentaliste dhe interesave tepër të ngushtë. Rrallë të bie të dëgjosh, e hiç më pak të lexosh, ide dhe ideale që kërkojnë dhe promovojnë interesat e përbashkëta, kulturë të përbashkët, mendësi të përbashkët. Është e vërtetë se kemi trashëgua një te keqe te madhe, mirëpo, përballë këtyre të këqijave që janë të natyrave të shumta, duhet të kemi zë unik, sidomos në çështje kruciale, që lidhen me mentalitetin tonë, kulturën tonë, të tashmen dhe historinë tonë.
Kombet dhe shtet mund të shkatërrohen fizikisht. Ndodhin luftëra dhe gjëra tjera. Mirëpo fuqia shpirtërore është ajo që i përtërin dhe i ndihmon të konsolidohen. Empiria na tregon raste të shumta. Kujtimi më i freskët është Gjermania. Por edhe Izraeli. Kosova ka nevojë ta tejkalojë sfidën e sfidave. Për të fituar lirinë, për të shprehur vullnetin e plotë, me bindje dhe besim. Kjo është kthesa më e madhe. Ndryshe klithjet, ankimet, vuajtjet, pasiguria, mungesa e perspektives, edhe për shume vite, kanë për të qenë shoqëruese të këtij populli.
Përkundër kësaj gjendje të mjerë, në të cilën çdo njëri ka pjesën e fajit dhe përgjegjësisë, duhet kërkuar alternativa dhe mendësi që kanë aftësi, guxim dhe vullnet për të ndryshuar këtë gjendje.