Telegrafi

Momenti i pabesueshëm kur lojtari brazilian shpik një simulim për të fituar një penallti

Një lojtar brazilian me emrin Marinho shpiku një ‘simulim të ri’ për të fituar një penallti për Santos mbrëmjen e së mërkurës në ndeshjen ndaj Red Bull Bragantino.

Santos, klub i cili ka qenë në mes të një lufte për rënie nga kategoria elitare e Brazilit mori një fitore të madhe me rezultat 2-0 ndaj Bragantinos.

Marinho shënoi golin e parë në minutën e 28-të, por kontributi i tij më i madh erdhi në fund të ndeshjes për të vulosur fitoren.

Numri 11 i Santosit arriti ta nxjerr njërën nga penalltitë më absurde në historinë e futbollit apo thënë më mirë arriti ta ‘vjedh’ penalltinë.

Ndoshta do të ishte një penallti gjithsesi për shkak të kontaktit minimal, por 28-vjeçari ndjeu se duhej ta ekzagjeronte rënien.

 

Kështu, ai bëri një salto spektakolare në zonën e rreptësisë dhe ishte i suksesshëm duke arritur ta fitojë penalltinë.

Mesfushori uruguaian Carlos Sanchez ishte i saktë duke shënuar për 2-0 dhe duke vulosur fitoren dhe tri pikët jetike.

 

Pas fitores, Santosi tani është ngjitur në vendin e 13-të në Superligën e Brazilit dhe është pesë pikë përpara zonës së rënies pas 38 ndeshjeve.

Ndërkohë, Marinho mund të ketë një të ardhme në gjimnastikë duke pasur parasysh akrobacitë e tij të mrekullueshme. /Telegrafi/