Forca e Sigurisë së Kosovës, mbrëmë pas mesnate ka arritur të nxjerrë trupat e pajetë të dy minatorëve të Minierës së Artanës, Idriz Gërbeshi dhe Haki Arifi, të cilët humbën jetën dje pas shembjes së dheut.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se operacioni i nxjerrjes së trupave ka zgjatur disa orë.
“Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë të Kosovës, pas mesnate, kanë arritur të nxjerrin trupat e pajetë të dy minatorëve të Minierës së Artanës. Operacioni i nxjerrjes së trupave ka zgjatur disa orë, për shkak të specifikave të punës. Në operacion kanë marrë pjesë: FSK-ja, Policia e Kosovës, Zjarrfikësit, njësitet e Kërkim-Shpëtimit të Minierave, si dhe institucione tjera të Sigurisë. Trupat e pa jetë i janë dorëzuar institutit të mjekësisë ligjore për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se trupat e pajetë të dy minatorëve janë nxjerrë rreth orës 00:30.
“Raportohet se në vendin e punës kanë humbur jetën dy minatorë meshkuj kosovarë, si pasoj e shembjes së dheut. Rreth orës 00:30 trupat e pa jetë janë nxjerrë nga rrënojat e minierës me ndihmën e FSK-së, Policisë dhe Minatorëve”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Ndryshe Qeveria në detyrë e Kosovës sot pritet të marrë vendim për ndarjen e 30 mijë eurove për dy familjet e minatorëve që humbën jetën. /Telegrafi/