Telegrafi

Momenti kur i shqiptohet dënimi “Kapiten Draganit” i akuzuar për krime lufte, dhe mënyra si e pranon (Foto/Video)

Dragan Vasilkoviq i njohur me nofkën “kapiten Dragani” 62-vjeç, është dënuar sot me 15 vite burgim, raportojnë mediat kroate.

Vasilkoviq është shpallur fajtor në dy pika të aktakuzës – keqtrajtim të burgosurve në Knin të Kroacisë dhe sulm ndaj stacioneve policore në Glin, transmeton Telegrafi.

“Kapiten Dragani” i ka mohuar kategorikisht akuzat të cilat rëndonin mbi të. Ai ishte komandant i njësive paraushtarake serbe të njohura si “Kninxha”.

Pas luftës kishte ikur në Australi, ku më vonë është arrestuar dhe ekstraduar në Kroaci që po e kërkonte për krime lufte.

Vasilkoviq dyshohet të ketë qenë komandant i njësisë për operacione speciale gjatë korrikut të vitit 1991 në Glinë, ku në bashkëpunim me komandantin e njësisë së tankeve të Armatës Popullore Jugosllave, hartoi planin për të sulmuar dhe rimarrë nën kontroll stacionet policore të Glinës.

Në videon e publikuar më poshtë, mund ta shihni momentin kur i kumtohet lajmi për dënim me 15 vite burgim. /Telegrafi/