Numri i viktimave të përmbytjeve që kanë prekur Indinë ka shkuar në 350, kurse mbi 800 mijë raportohet të jenë evakuuar pas shirave të rrëmbyeshëm që kanë shkatërruar pothuajse gjithçka.
Ekspertët vlerësojnë së shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur pjesën jugore të Indisë këtë javë, konsiderohet si “përmbytja më e madhe e shekullit”, derisa ekipet e shpëtimit janë duke bërë të pamundurën t’i shpëtojnë qytetarët që kanë ngecur brenda shtëpive, transmeton Telegrafi.
Autoritetet lokale gjithashtu janë angazhuar që zonat e prekura nga përmbytjet t’i furnizojë me ujë të pijshëm. Zyrtari i lartë i agjencisë për menaxhimin e krizave në Kerala të Indisë, P.H. Kurian, ka njoftuar se disa zona janë prekur edhe më shumë nga përmbytjet dhe rrëshqitja e dheut për shkak të terrenit të papërshtatshëm.
Banorët të cilët kishin barka të vogla mund të konsiderohen si me fat, për faktin se me ato i kanë nxjerr familjarët nga uji, duke i shpëtuar më të keqes. Kurse helikopterë të shumtë ushtarakë janë duke vazhduar t’i shpëtojnë qytetarët që kanë ngecur në kulmet e shtëpive.
Një video e publikuar më poshtë, shfaq momentin kur rrëshqet dheu dhe merr me vete shtëpinë gjigante të cilën e vë në lëvizje sikur të ishte një anije. Ky moment është filmuar nga qytetarët, që mbetën të shokuar kur panë se si shtëpia gjigante “lundronte” nëpër lagje. /Telegrafi/