Një video e publikuar në internet shfaq momentin kur policia thyen derën e një dhome hoteli në Teksas, dhe shpëtojnë 8-vjeçaren e rrëmbyer që ishte fshehur në shportën e rrobave të palara, shkruan New York Post.
Kamera e vendosur në uniformën e njërit prej policëve, ka filmuar aksionin e forcave të rendit që ishin armatosur deri në dhëmbë dhe ishin nisur për ta shpëtuar vogëlushen, transmeton Telegrafi.
Në të shihen policët duke thyer derën dhe më pas futen brenda duke urdhëruar rrëmbyesin të ngrit lartë duart. E pasi e prangosën, gjetën vajzën e fshehur në shportën e rrobave të palara.
“E kemi, e kemi”, dëgjohet njëri nga policët duke bërtitur.
Kujtojmë që 8-vjeçarja ishte rrëmbyer në rrugë derisa po ecte me të ëmën në mes të ditës. Rrëmbyesi e kishte dërguar vogëlushen deri në parkingun e një kishe, ku e kishte keqtrajtuar dhe më pas dërguar në një dhomë hoteli.
Autoritetet e rendit menjëherë kishin publikuar fotografinë e veturës së rrëmbyesit, e dikush i kishte telefonuar policisë kur pa veturën e parkuar pranë një hoteli.
Michael Webb,51-vjeç, është arrestuar për rrëmbim, kurse këto ditë është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjatë seancës ka pranuar krimin që e ka kryer, kurse gjyqtarit i janë dashur vetëm 15 minuta për ta marrë vendimin. /Telegrafi/