Site icon Telegrafi

Momenti kur një ekran gjigant shkëputet dhe bie në skenë, ndërsa zë dy kërcimtarë të grupit “Mirror”

Një seri koncertesh nga grupi i djemve nga Hong Kongu, “Mirror”, u anuluan pas një ngjarje të rëndë që ndodhi të enjten mbrëma, në të cilën dy performues u lënduan nga një ekran gjigant që ra nga tavani në skenë.

Incidenti i jashtëzakonshëm është kapur nëpër disa video dhe pamjet janë bërë tashmë virale.

Dy të lënduarit ishin kërcimtarë të grupit 12 anëtarësh të “Mirror”, të cilët po merrnin pjesë në një seri koncertesh të quajtur “MIRROR.WEARE” në Coliseum.

Foto: Twitter

Seria e koncerteve, e cila filloi më 25 korrik, supozohej të kishte gjithsej 12 shfaqje deri më 5 gusht.

Aksidenti ndodhi gjatë një shfaqjeje në grup, kur një ekran gjigant LED i varur mbi skenë u rrëzua dhe goditi dy kërcimtarë që qëndronin direkt poshtë.

Ata u rrëzuan në tokë dhe dukej se ishin pa ndjenja, ndërsa pjesa tjetër e ekipit mbeti e shtangur.

Foto: Twitter

Dy interpretuesit u dërguan me urgjencë në spital. Njëri thuhet se pësoi një lëndim në kokë, por ishte në gjendje stabile, tjetri ka marrë një lëndim në qafë dhe raportohet se është në gjendje të rëndë.

Koncerti u ndërpre menjëherë dhe audiencës iu kërkua të largohej nga vendi i ngjarjes, por u tha se mund të ruanin biletat e tyre deri në njoftimin e dytë.

Shumë nga ata që ishin dëshmitarë të aksidentit live në koncert, ose që panë videon që qarkullonte në rrjetet sociale, raportuan se ishin të shqetësuar emocionalisht nga incidenti.

Aksidenti ka shkaktuar zemërim publik, me fansat dhe të brendshmit e industrisë që dënojnë organizatorët e koncertit për moslejimin e kohës së mjaftueshme për një kontroll dhe provë në terren, dhe për shpërfilljen e sigurisë së interpretuesve.

Qeveria e Hong Kongut ka pezulluar koncertet e mëtejshme në vend derisa dizajni i skenës dhe strukturat mekanike të jenë të sigurta. /Telegrafi/

Foto: Twitter
Exit mobile version