Site icon Telegrafi

Momenti kur një asteroid shpërtheu mbi Kanalin Anglez pasi hyri në atmosferën e Tokës

Një asteroid ndriçoi qiellin natën mbi Kanalin Anglez pasi hyri në atmosferën e Tokës në orët e para të mëngjesit.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, meteori krijoi një ‘shpërthim ajri’ që mund të shihej në të gjithë Anglinë jugore dhe Uells dhe në pjesë të Francës veriore deri në Paris.

Shkëmbi, i quajtur 2023 CX1, hyri në atmosferë rreth tre kilometra larg bregut francez në orën 3 të mëngjesit, duke krijuar një top zjarri ndërsa u shpërbë në copa të vogla që ra në det.

Kjo thuhet se ishte vetëm hera e shtatë që një goditje asteroidi ishte parashikuar me sukses, në atë që Agjencia Evropiane e Hapësirës tha se ishte “një shenjë e përparimeve të shpejta në aftësitë globale të zbulimit të asteroideve”.

Dhe për shkencëtarët, parashikimi i asteroideve të padëmshëm si ai i sotëm në mëngjes shihet si praktikë e mirë për zbulimin e atyre që mund të përbëjnë rrezik për planetin.

2023 CX1 u zbulua vetëm shtatë orë para goditjes nga astronomi hungarez Krisztián Sárneczky, në Observatorin Konkoly në malet Mátra, Hungari. /Telegrafi/

Exit mobile version