Site icon Telegrafi

Momenti kur Luka Modric u fishkëllye nga tifozët e Real Madridit para 10 vitesh: Mourinho i doli në mbrojtje dhe iu tha që të kinin durim

Mesfushori kroat Luka Modric tashmë mund të konsiderohet si një nga mesfushorët më të mirë në historinë e futbollit, ndërsa mediat spanjolle kanë kthyer një kujtim të vitit 2012, kur trajneri i atëhershëm i klubit Jose Mourinho, fjalë për fjalë – iu lut tifozëve që ta linin të qetë.

Mourinho ishte trajneri që donte të sillte Modricin nga Tottenham në Real Madrid dhe pas vetëm gjashtë muajsh në këtë klub ai shihej si transferimi më i keq në Spanjë dhe shumica e tifozëve të klubit nuk e shihnin si lojtarë afatgjatë.

Megjithatë, Mourinho besonte te lojtari i tij dhe iu tha tifozëve në atë kohë se një ditë gjithçka do të vinte në vend të vet.

“Njerëzit duhet të jenë të durueshëm me Modric. Ne e dimë se ai është një lojtar i madh, gjithçka që ka rëndësi është që ai të rritet brenda ekipit. Ai do të duhet të përmirësojë lojën e tij taktike dhe të mësojë se çfarë pritet prej tij”.

“Ai duhet të dijë se çfarë të bëjë kur Benzema i bëri presion mesfushorit, si të sillet kur Ronaldo është i lirë…”.

“Lëreni djalin të qetë, lëreni të rritet pak. Ai është një lojtar i madh dhe besoj se tifozët do ta vënë re këtë. Lëreni të qetë dhe së shpejti do të dashuroheni me të”, kishte thënë Mourinho.

Mourinho dhe Modric kaluan vetëm tetë muaj së bashku në Real Madrid, por portugezi mbeti një nga figurat kryesore në karrierën e kroatit.

Modric ka kontratë me Real Madridin deri në fund të këtij viti dhe nuk ka dyshim se drejtuesit e klubit do të bëjnë gjithçka për ta mbajtur në ekipin e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version