Telegrafi

Momenti kur forcat speciale hyjnë nga një helikopter në një anije që mbante kokainë me vlerë rreth 155 milionë euro në brigjet e Irlandës

Ky është momenti i jashtëzakonshëm kur komandot e Ushtrisë së Irlandës sulmuan kuvertën e një anijeje të kartelit në brigjet e Irlandës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në operacionin e guximshëm, trupat elitare të armatosura me pushkë sulmi zbritën me litar nga një helikopter dhe sulmuan anijen e ngarkesave MV Matthew të regjistruar në Panama.

Kjo erdhi pasi “ekipi” i anijes kishte refuzuar të ndalonte në Atlantik, madje duke shtënë me armë.

Videoja e operacionit tregon helikopterin që rri pezull mbi MV Matthew ndërsa anija bën një kthesë të mprehtë në ujë, me forcat speciale irlandeze që zbresin në anije përpara se të lëvizin nëpër kuvertë.

Pasi komandot siguruan anijen, anëtarët e marinës irlandeze dhe Byrosë Kombëtare të Drogave dhe Krimit të Organizuar erdhën në bord, ku gjetën më shumë se 2,250 kilogramë kokainë të dyshuar me vlerë rreth 155 milionë euro.

Mbrëmë, Ministrja e Drejtësisë, Helen McEntee tha se droga do të kishte ‘pa dyshim destinacion tregjet irlandeze dhe evropiane’ dhe kjo ‘do të përfaqësojë një goditje për bandat e krimit të organizuar të përfshirë në shpërndarjen e drogës në nivel ndërkombëtar’.

Ndërsa Justin Kelly, nga Njësia e Krimit të Organizuar dhe të Rënda, tha se aksioni po operohej nga ‘grupe transnacionale’ që ‘po punojnë në të gjithë botën’. /Telegrafi/