Disa ligjvënëse femra demokrate dhe jo vetëm, të gjitha të veshura me të bardha, shpërthyen në duartrokitje gjatë fjalimit të presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar kombit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për momentin kur presidenti Trump vuri në dukje numrin rekorde të grave që janë tani në Kongres.
“Askush nuk ka përfituar më shumë nga ekonomia jonë e lulëzuar sesa gratë, të cilat kanë mbushur 58% të vendeve të reja të punës vitin e kaluar,” tha Trump.
Kështu, disa ligjvënëse femra – shumica të veshura në të bardhë si një simbol i solidaritetit – filluan të ngrihen dhe të duartrokasin.
“Të gjithë amerikanët mund të jenë krenarë që ne kemi më shumë gra në fuqinë punëtore sesa kurrë më parë”, tha Trump derisa u përcoll me duartrokitje dypartiake.
Ndryshe, gjatë fjalimit drejtuar kombit, presidenti amerikan ka folur edhe rreth Murit me Meksikën, si dhe ka zbuluar se planifikon të takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un gjatë një samiti dy-ditor në Vietnam më 27 dhe 28 shkurt. /Telegrafi/