Një i burgosur që ishte në dijeni për përfshirjen e vëllait të presidentit të Hondurasit, Juan Orlando Hernandez për kontrabandimin e drogës, është qëlluar disa herë me revole dhe atë brenda burgut.
Kamerat e sigurisë në burgun e sigurisë së lartë El Pozo, kanë filmuar momentin kur Nery Lopez Sanabria sulmohet nga disa të burgosur tjerë para syve të gardianit të burgut, që iku për t’i shpëtuar më të keqes, transmeton Telegrafi.
Videoja rrëqethëse shfaq 37-vjeçarin duke tentuar të arratiset, por që për fat të keq qëllohet disa herë në kokë. E sikur kjo të mos mjaftonte, dy të burgosur më pas e therin vazhdimisht në shpinë dhe këmbë.
Në anën tjetër personi që e qëllon me revole i afrohet dhe e qëllon edhe disa herë edhe pse i shtrirë në tokë, duke e mbushur tërë hapësirën me gjak.
Lopez Sanabria dyshohet se ishte ish-partneri biznesi me ish-kongresistin Antonio “Tony” Hernandez, vëllai i vogël i presidentit, që është shpallur fajtor për trafikim të drogës në gjykatën e Neë Yorkut.
Mediat botërore raportojnë se shumë fletore që i përkisnin Lopez Sanabrias kishin shërbyer si prova gjatë procesit gjyqësor. Në anën tjetër avokati i tij, Carlos Chajtur, ka akuzuar qeverinë e Hondurasit duke pretenduar se është përgjegjës për vrasjen.
Së fundmi ishte refuzuar peticioni që kërkonte transferimin e Lopez Sanabrias në një burg tjetër. /Telegrafi/