Telegrafi

Momenti kur 10-vjeçarin e zgjon babai nga gjumi dhe e kupton se është verbuar nga një shpërthim në Siri – megjithatë mjekët ia rikthejnë shikimin (Video)

Një djalë i vogël për pak sa nuk u “çmend” nga paniku dhe dëshpërimi kur u zgjua nga gjumi i verbër, pasi ishte lënduar rëndë gjatë një shpërthimi në pjesën veriore të Sirisë.

10-vjeçari Abdul Muain nga provinca Afrin, mund të dëgjohet duke bërtitur derisa babai e zgjon për herë të parë pas ndërhyrje kirurgjike, transmeton Telegrafi.

“Sytë e mi”, dëgjohet duke bërtitur vogëlushi të cilin babai mundohet ta qetësojë: “Oh baba sytë e mi”.

Abdul dikur jetonte në Homs, por është zhvendosur për shkak të luftës së përgjakshme në Siri dhe përfundoi në Afrin, afër vijës kufitare me Turqinë.

Ai ishte duke luajtur afër shtëpisë së tij në ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit, kur shkeli në një zonë të minuar.

Ndërkaq mediat lokale raportojnë se djaloshi ishte plagosur gjatë sulmeve ajrore të kryera nga forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad.

Forcat pro dhe kundër regjimit në Siri shpesh bëjnë deklarata kontradiktore, rreth asaj se cila palë është përgjegjëse për vdekjet e civilëve.

Megjithatë, ky vogëlush ishte dërguar në Turqi për tretman, ku aktualisht është duke u trajtuar nga lëndimi.

Videoja e dytë shfaq momentin kur vogëlushit të vogël i rikthehet shikimi pas intervenimit kirurgjik. /Telegrafi/