Prishtina realizoi absolutisht fitoren më të madhe të sezonit të premtën në Prizren.
Atëherë kur të gjithë prisnin që të ndeshja në Prizren të përfundonte me barazim dhe në Gjilan po bëheshin përgatitjet për festë, ndryshe menduan lojtarët e Prishtinës.
Një harkim në zonë e shfrytëzoi si është më së miri Mërgim Pefqeli i cili shënoi me kokë për 1-0 dhe golin e madh të fitores.
Me t’u shënuar ky gol Pefqeli natyrisht se zhveshi fanellën e tij dhe shkoi të festonte me Plisat, disa prej të cilëve edhe hynë në fushë nga momenti i gëzimit teksa e gjithë tribuna u çmend.
Shumë prej tifozëve ishin edhe në lot gëzimi pas këtij goli që i mbajti ata në ankth në minuta të tërë.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte gjakftohtësia e Mirel Josës, i cili natyrisht duke mos ju besuar syve qëndroi vetëm në një vend i shtangur teksa përqafohej nga pjestarë tjerë të klubit.
Gëzimi i madh zgjati për disa minuta, pasi është ky gol që pikërisht mund t’ia sjellë titullin Prishtinës.
Fundjavën e ardhshme klubi nga kryeqyteti është nikoqir i Dritës në atë që është ndeshja e fundit e sezonit, apo thënë ndryshe, një finale e kampionatit kosovar në futboll.
Drita është në pole pozicion pasi Prishtinës i duhet fitore me dy gola epërsi për t’u shpallur kampion. /Telegrafi/