Disa pamje të publikuara thuhet se tregojnë momentet para se një burrë të bjerë për vdekje nga një “balonë me ajër të nxehtë” në Melburn të Australisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, burri ishte një nga dhjetë personat në udhëtim kur u nis rreth orës 7 të mëngjesit të së hënës.
Një video, e siguruar nga 7News, tregon burrin, i veshur me një bluzë kafe, duke qëndruar përkrah të ftuarve të tjerë teksa shijonin pamjen e agimit mbi qytet.
Dëshmitarët thanë se burri dukej mirë dhe po bisedonte me operatorin e udhëtimit ndërsa balona u lëshua në ajër.
Por dhjetë minuta më vonë, ndërsa udhëtimi arriti rreth 450 metra lartësi, ai në mënyrë tronditëse – dhe pa paralajmërim – doli nga “koshi” në një akt të vetëlëndimit dhe ra drejt vdekjes.
Shërbimet e urgjencës u thirrën në Albert Street, në Preston në veri-lindje të qytetit, pak kohë më vonë pasi trupi i tij u gjet në një oborr.
Balona e ajrit të nxehtë u ul në mënyrë të sigurt 8 km larg në Yarra Bend Park në Fairfield dhe policia e rrethoi shpejt pasi ajo u ul në tokë.
Pasagjerët në bordin e balonës raportohet se janë thellësisht të traumatizuar nga ajo që ndodhi dhe u është ofruar këshillim nga operatori. /Telegrafi/