Shumë herë kemi menduar se si do të jetë në një përballje zyrtare futbolli mes Shqipërisë dhe Kosovës kur në stadium të tingëllojë Himni i Flamurit.
Përgjigjen e kemi marrë sot, kur në ndeshjen e përfaqësueseve U21, në “Elbasan Arena”, tifozët e jo vetëm, të bashkuar kanë kënduar Himnin e Flamurit.
Në momentin kur në stadium filluan të dëgjoheshin notat muzikore, edhe futbollistët e Kosovës u bashkuan krah më krah, ndërsa disa prej tyre filluan të këndonin bashkë me lojtarët e Shqipërisë.
Mirlind Daku, Gëzim Pepsi, Kreshnik Hajrizi e mbrojtësi i Bolognas, Lirim Kastrati, ishin ata të cilët filluan të këndonin me zë të lartë Himnin e Flamurit, dukshëm të emocionuar duke e dëgjuar, shkruan vipsport.
Në fund, të gjithë futbollistët e Kosovës e duartrokitën këtë moment emocionues, ashtu si në shkallaret e stadiumit, ku tifozët e dy përfaqësueseve ishin bërë bashkë e po këndonin njëzëri.