Në të kaluarën ishte njëri nga kundërshtarët politik më të ashpër të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Pothuajse me asnjë temë nuk pajtoheshin, gjithmonë gjendeshin në taborë të kundërt.
Bëhet fjalë për ish-sekretarin e LVV-së, Dardan Molliqaj, tash kryetar i PSD-së.
Molliqaj në RTV Dukagjini, rrëfeu pjesëza momentesh nga bashkëbisedimi në qendrën e paraburgimit në Hagë mes tij dhe Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Ai tregoi se momentet e bisedat me ta ishin shumë të natyrshme e miqësore dhe se kësaj here për dallim nga e kaluara e kishin të qartë se “beteja e tyre ishte e përbashkët”.
Sipas tij ish-krerët e UÇK-së dhe ai i lanë anash dallimet politike dhe në vend të tyre zuri vend solidariteti.
“Takimi me Thaçin e Veselin ishte i natyrshëm, miqësor, i afërt, shumë i përzemërt, prej të dy palëve, të paktën kështu e përjetova për vete. Për shkak se e kishim të qartë se në këtë betejë jemi si mishi me ashtin, nuk kishte tension, por kimia ishte në nivelin maksimal, që për këtë çështje PSD-ja, e kuptonin që ishim të përkushtuar dhe çfarëdo dallimi politik, nuk ishte pjesë as e ndjenjës, sa ishte solidaritetit”, tha ai.
Kreu i PSD-së, tha se me ish-presidentin Thaçi i kanë ndarë shqetësimet e njëjta sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.
“Me Thaçin kemi fol shumë më shumë politikisht. Kemi nda shqetësime të njëjta për procesin e dialogut. Ne e mbështesim fuqishëm ripërcaktimin e kufijve. Ndamë shqetësim që nuk ishte marrëveshja e duhur dhe rruga e duhur”, tha ai.
Molliqaj u shpreh se vizita në Hagë, i krijoi ndjenja të fuqishme emocionale aspak të zakonshme.
Ai thotë se ishte tejet e vështirë t’i shihje ish-komandantët e UÇK-së me rroba të burgut e duke marrë urdhra nga gardianët, sado korrekte që ishin ato.
“Për mu nuk ke e zakonshme, në aspektin emocional. Kam qenë në burg, e në luftë kam parë njerëz të vdekur. Ky përjetimi që ata janë në Hagë, është krejt ndryshe prej kur shkova. Atje u ballafaqova me të burgosur, deri atje ishte ideja që do shihesha me ish liderët e UÇK-së, liderë institucional. Ata ishin me rroba ndryshe. Ishte situatë jo e këndshme me i pa në situata të tilla ku gardianët urdhërojnë tërë kohën. Ishte inspiruese, s’kesh hiç rehat edhe kur dola, ideja që jashtë burgut ishte Haga qytet i bukur. E shiheshe që pas murit ishin krerët e UÇK-së”, tha ai.
Molliqaj po ashtu i kritikoi krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti, të cilët sipas tij do gëzoheshin nëse Thaçi dhe të tjerët dënohen.