Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, thotë se ai dhe partia e tij janë të palëkundur në qëllimin për ta larguar PDK-në nga pushteti.
Përmes një shkrimi në Facebook, Molliqaj thekson se kryesit e aferave korruptive brenda PDK-së, do të përgjigjen para drejtësisë.
“Jemi të palëkundur në qëndrimin tonë për ta larguar PDK-në nga pushteti. Posa kjo të arrihet, ata do të hetohen e përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet e aferat korruptive që i kanë kryer në vendin tonë”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka demantuar disa media të cilat kanë shkruar se PSD do të bëhet pjesë e Qeverisë Haradinaj.
“Lajmet e sponsorizuara që kinse ne do të bëhemi pjesë e kësaj qeverie janë shpifjet e radhës nga ata që e ëndërrojnë ardhjen në pushtet pikërisht duke bashkëpunuar me PDK-në. Ata që me gjithë pushtetin dhe mundësitë që kanë për të parandaluar dëme që i ndodhin Kosovës vendosin të jenë spektatorë për arsye elektorale, e në të njëjtën kohë po mundohen që pjesëmarrjen tonë në dialog ta paraqesin si hyrje në qeveri, janë po të njëjtit që hapur shprehën gatishmëri për të ardhur në pushtet përmes koalicionit me PDK-në qysh në vitin 2016”.
“Ne do të vazhdojmë me qasjen tonë konstruktive. E propagandat populiste ua lëmë atyre. Por, të mos harrojnë që hedhja hi syve të qytetarëve ka përfunduar. Prandaj kot lodhen”, ka shkruar Molliqaj./Telegrafi