Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj, i ka reaguar deputetit nga VV, Liburn Aliu, pasi ky i fundit përmes një shkrimi, ka thënë se sulme ndaj VV-së po bëjnë ish-bashkë-partiakët, Shpend Ahmeti e Dardan Molliqaj.
“Sulm masiv mbi Lëvizjen. Sa po munden nga të gjitha anët godasin, Hashimët, Kadritë, Shpendët, Batonët e Molliqët. Herë përmes portaleve e herë drejtpërdrejtë”, kishte shkruar Aliu në reagimin e tij.
Molliqaj, përmes Facebook-ut i ka thënë Aliut se viktimizimi nuk iu ndihmon.
“Stuhia nuk ka karakter apo natyrë qëllimore për të dëmtuar anijet dhe njerëzit! Kur kapiteni i anijes bën gabime në manovrim dhe e futë anijen dhe stafin e tij në një stuhi që e kërcënon të ardhmen e tyre, atëherë nuk është stuhia përgjegjëse por kapiteni”, shkruan Molliqaj.
“E keni futur veten në stuhi me qëndrime pa përmbajtje, të pa logjikshme e të panevojshme, tani duhet të përballeni me kritika përmbajtjesore nga ana e PSD-së. Të viktimizoheni siç po e bën Liburni nuk ju ndihmon, siç nuk i ndihmojnë stafit të anijes lutjet ndaj Poseidonit”, ka thënë deputeti i PSD-së./Telegrafi