Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar lidhur me sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad.
Molliqaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt të reagoj dhe të kërkoj prej shtetit serb që t’i dënojë fashistët serbë që rrahën dy të rinj shqiptarë veç pse janë shqiptarë.
Ai ka akuzuar edhe pushtetarët që sipas tij ua kanë vjedhur perspektivën të rinjve.
Postimi i plotë:
Çlirimi lindi në vitin 1999, posa Kosova u çlirua nga Serbia. Prandaj edhe u pagëzua me këtë emër.
Ai dhe shoku i tij, sikurse edhe mijëra të tjerë të rinj nga Kosova, nuk kanë perspektivë në vendin tonë. Atë ua kanë vjedhur pushtetarët tanë të korruptuar e të zhytur thellë në krim.
Për të siguruar një jetesë minimale, ai dhe shoku i tij u detyruan të shkojnë të punojnë në Serbi, aty ku u rrahën brutalisht.
Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt të reagoj dhe të kërkoj prej shtetit serb që t’i dënojë fashistët serbë që rrahën dy të rinj shqiptarë veç pse janë shqiptarë. E neve na mbetet që të angazhohemi sa më shumë në mënyrë që ta ndërrojmë mentalitetin qeverisës sa më shpejtë dhe t’iu ofrojmë përspektivë jo vetëm të rinjve por të gjithë qytetarëve të vendit. /Telegrafi/