Site icon Telegrafi

Molliqaj: Për Kadri Veselin nuk ka vend në institucionet e shtetit

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka thënë se për kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin nuk ka më vend nëpër institucionet e Kosovës.

Molliqaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me të parë rritjen e Vetëvendosjes, Veseli u frikësua dhe ia dha kandidaturën Ramush Haradinajt për kryeministër.

Sipas Molliqajt, nga frika se do të mbetet në opozitë, Veseli u dorëzua sërish, duke thënë se do të tërhiqet edhe nga kandidatura për kryeparlamentar.

Postimi i plotë i Molliqajt:

“Thuhej se në kohën kur ishte nën hije, si udhëheqës i organizatës kriminale SHIK, Kadri Veseli ishte njeriu më i fuqishëm në PDK.

Si kryetar i PDK-së, filloi fushatë milionëshe duke e promovuar vetën si kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Me të parë rritjen e Lëvizjes tonë, u frikësua dhe ia dorëzoi kandidaturën Haradinajt.

U bë gati për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit, por rritja jonë po ia pamundëson edhe këtë.

Nga frika se do të mbetet në opozitë, u dorëzua prapë. Tash deklaroi se do të tërhiqet edhe nga kandidatura për kryetar Kuvendi me kushtin që t’ia bëjmë një vend në Qeveri.

Por ai duhet ta kuptoj një gjë: nuk ka vend për të në institucionet e shtetit tonë. Vetëm një vend e kemi të rezervuar për të. Athu ku!?”, ka shkruar Molliqaj. /Telegrafi/

Exit mobile version