Site icon Telegrafi

Molliqaj për Asociacionin: Nocionin e monoetnicitetit e lansoi qeveria – ai është i dëmshëm në secilin version

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se nocioni i monoetnicitetit për Asociacionin, u lansua nga qeveria për t’u dukur se e përmirësuan statutin e tij.

Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se versioni final i Asociacionit dihet dhe se i njëjti nuk do të jetë monoetnicitet.

“Kurrë nuk ka pas me qenë. As atëherë kur kundërshtohej me protesta e aksione brenda Kuvendit. Asociacioni është i dëmshëm tashmë, në secilin version. Dhe si i tillë absolutisht i papranueshëm”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë:

Për a kundër Asociacionit, të bëhemi bashkë!

Ky nocioni i monoetnicitetit u lansua nga qeveria për tu dukur se e përmirësuan statutin e Asociacionit, e versioni final, dihet, nuk ka me qenë MONO. Kurrë nuk ka pas me qenë. As atëherë kur kundërshtohej me protesta e aksione brenda Kuvendit. Asociacioni është i dëmshëm tashmë, në secilin version. Dhe si i tillë absolutisht i papranueshëm.

Strategjia është kjo: shpike problemin, luftoje atë dhe shpalle suksesin. E tërë kjo pjellë e imagjinatës (së rrezikshme). Qeveria luftë kryesore e ka me mbështetësit e saj. Ka detyrë t’i përgjigjet pyetjes së vështirë: si të duket parimore dhe e drejtë, pa qenë e tillë. Kjo e tejkalon temën e asociacionit. Është në pyetje qenia e tyre polike.

Këta krijojnë insinuata dhe kur ato nuk ndodhin (se janë shpikje, kryesisht duke keqpërdorur situata e gjendje njerëzish) atëherë na japin lajmin e suksesit, se si këta e ndalen, përmirësuan apo ndaluan. Që të tri deklaratat janë gënjeshtra.

Prandaj organizimi për një shoqëri më të barabartë duhet ta tejkalojë konfliktin rreth asociacionit. Edhe ata që janë kundër dhe ata që janë për, kanë arsye të fuqishme për tu bashkuar. Duhet të organizohemi në kundërshtim të gjithë ne që nuk durojmë të qeverisemi me modele politike dogmatike, autoritare. /Telegrafi/

Exit mobile version