Site icon Telegrafi

Molliqaj: PDK-së nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale

Foto: Arkiv

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka kritikuar liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se nuk po mbështet nismën e PDK-së për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për shkarkimin e ish kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Molliqaj thotë së “regjimet autoritare të ditëve të sotme kanë marrë krye jo vetëm si rezultat i ekzistencës së partive e liderëve autoritarë”.

“Ndër të tjera, ato janë sot temë e ditës edhe si rezultat i një mungese. Kjo mungesë është mungesa e një kritike të duhur që shtron rrugën drejt një opozite që bën rezistencë e hap shtigje të reja.

Zgjedhjet në PDK nuk janë punë e imja, prandaj nuk dua të flas për emra. Çfarë më intereson është e ardhmja e opozitës në Kosovë. Për bindjen time, lakimi i emrave pa pyetjen mbi rrugën që do të ndiqet s’ka asnjë dobi. Sulmi flagrant ndaj KQZ-së duhet të jetë alarm për rreziqet që e presin vendin”, thotë ai.

Tute, Molliqaj pohon se “PDK-së nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale”.

“Shikojeni Lumirin, cili është mësimi?! S’ka nënshkrime për Gjykatën Kushtetuese sepse synojmë votat e humbura nga Presidentja vegël. Rrjedhimisht, vegël e veglës. Secila llogari është e pamatshme përballë ruajtjes së lirive politike e ambientit demokratik në shoqëri dhe institucione”, pohoi ai.

Tutje, ai ka thënë se përpjekja për t’u dëshmuar para propagandës që na vjen si “opinion publik” në formën e kërkesave për ndryshim është pranim i pushtetit si instancë ideologjike.

“Sa më shumë i nënshtrohemi këtij gjykimi më fajtor do të ndjehemi. Kjo është një dinamikë mizore që fundos e desubjektivizon sepse instanca e gjykimit është jashtë autonomisë tënde”.

Molliqaj shton tutje se opozita do të ketë sukses nëse do të arrijë t’i artikulojë e t’iu përgjigjet detyrave të kohës.

“Suksesi i UÇK-së është guximi në kohë. Kjo trashëgimi ka lidhje të mirë ekuivalence me kërkesat e sotme. Thirrja universale e saj përshtatet e frymëzon betejën për shoqëri demokratike. Bashkimi rreth këtyre çështjeve duhet të jetë bashkëpunimi i opozitës e bashkimi i njerëzve”, thuhet në reagimin e Molliqajt.

Ndryshe, nismën e PDK-së për të dërguar në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës, e kanë mbështetur edhe deputetët e AAK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version