Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nga 37 deputetë që kishte PDK-ja tri vite më parë, tash kanë rënë në vetëm 23 të tillë.
Ndërsa sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, nga 16 e rriti numrin e deputetëve në 32.
“Kjo humbje e madhe ua ka humbur atyre rrugën në oborr dhe nuk po munden assesi të këndellën”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Prandaj, sipas tij, kanë filluar të shpifin për familjarë të aktivistëve të VV-së, për kinse bashkëpunim me Serbinë në kohën e Millosheviqit.
“Kush janë sot bashkëpunëtorët më të mëdhenj të Serbisë? Kush është pro Zajednicës? Kush e bëri ndarjen e veriut? Kush ka biznese të përbashkëta me Veselinoviçin në veri të vendit? Qytetarët e vendin i dinë përgjigjet e këtyre pyetjeve, prandaj juve ju ndëshkuan e neve na mbështetën në zgjedhjet e 11 qershorit”, ka shkruar Molliqaj më tej në Facebook.
Sipas tij, Dardan Sejdiu dhe të gjithë aktivistët e tjerë të Lëvizjes janë e kundërta e PDK-së.
“Ne jemi kundër aspiratave të Serbisë në Kosovë. Ne jemi kundër Zajednicës dhe Gjykatës Speciale të cilat ju i votuat dhe mbështetët me shumë zell. Ne jemi e tashmja dhe e ardhmja e vendit, ndërsa ju jeni e kaluara e cila do të mbahet mend vetëm për shkatërrimin e shtetit”, ka përfunduar Molliqaj. /Telegrafi/