Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka folur një ditë pas protestës kundër shtrenjtimit të rrymës.
Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar të dëgjohet vullneti i qytetarëve dhe të kthehet prapa propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave.
Ai ka paralajmëruar se protestat dhe aksionet do të vazhdojnë derisa të plotësohen këto kërkesa.
Molliqaj nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me videon e publikuar ku shihet teksa i bie me shuplakë njërit prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Postimi i plotë i Molliqajt:
Të dëgjohet vullneti i qytetarëve, të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtim të rrymës
Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit.
Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës.
Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa. /Telegrafi/