Është çështje javësh kur hetuesit ndërkombëtar do t’i bashkëngjiten organeve të hetuesisë vendore në zbardhjen e rastit të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Kështu ka deklaruar për “Indeksonline”, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.
“Me sa unë kam informata është çështje javësh kur do të vijnë hetuesit ndërkombëtar nga jashtë, atëherë ne do të jemi pjesë e këtij rasti”, Molliqaj.
Molliqaj për “IndeksOnline” thotë se ai personalisht ka pranuar ftesën nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për dhënie të deklaratës për rastin e Astrit Deharit.
Por ai shton se as ai e as aktivistët tjerë, të cilët kanë qenë vizitorë të Deharit, gjatë kohës sa ai ishte në paraburgim, nuk do t’i përgjigjen ftesës, deri sa në hetime të përfshihen edhe hetuesit ndërkombëtar.
“Ne kemi pranuar ftesat nga prokuroria, por asnjëri prej neve nuk i jemi përgjigjur ftesës, për shkak të kërkesës së familjes për t’i pezulluar hetimet deri në ardhjen e ekipit ndërkombëtar hetues në këtë proces. Në momentin që do të plotësohet kjo kërkesë që tashmë është vendim i kuvendit ne do të jemi të gatshëm të jemi pjesë e intervistimit”, është shprehur Molliqaj.
Ai për “IndeksOnline” thotë se ftesën nga organet e hetuesisë e ka pranuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
“Unë personalisht e kam pranuar një ftesë para vitit të ri, dhe i kam njoftuar edhe policët hetues që m’a sjellën ftesën se në momentin që familja është e hapur për t’i vazhduar hetimet ne do të jemi pjesë e procesit për m’i jep dëshmitë tona të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit”, ka thënë Sekretari Organizativ i VV-së.
Në anën tjetër, prokurori i rastit, Metush Biraj thotë se ende janë larg përfundimit të hetimeve në këtë rast.
“Tash për tash për epilog të rastit s’mund të themi asgjë”, është shprehur prokurori Biraj.
Ai thotë se prokuroria është e sigurt që ata i kanë marr ftesat, por ende nuk i janë përgjigje këtyre ftesave.
“Ne akoma s’kemi marr ndonjë përgjigje prej tyre, edhe pse ata i kanë pranuar ftesat. Ne do të shikojmë edhe mundësi të tjera me gjet ndonjë zgjidhje në përputhje me ligjin se si me siguru prezencën e tyre për m u digju”, është shprehur prokurori Biraj.
Ndryshe, aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari ka ndërruar jetë më 5 nëntor të vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, deri sa po qëndronte në paraburgim për hetimet që po zhvilloheshin ndaj tij dhe 5 aktivistëve të tjerë nënë dyshimin për sulm në Kuvendin e Kosovës.