Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur për organizimin e protestës kundër tarifave të reja të rrymës dhe mundësinë e tërheqjes së Qeverisë.
Molliqaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se nëse ka vendosmëri për protesta, Albin Kurti tërhiqet.
“Kjo qeveri do të tërhiqet pasi ka karakterin e saj populist. Ne kemi qenë një grup i vogël për punën e stikersave, më pas ka pasur reagim qytetarë e pas kësaj këta janë tërhequr. Këta edhe tash janë duke parë si po shkon situata. Këta e shohin sa po vlon të shtunën për të vendosur të hënën”, tha ai, përcjell Telegrafi.
I pari i PSD-së thotë se duhet të rritet presioni pasi çmimi i rrymës do të prek qytetarët edhe në vitet tjera.
Molliqaj thotë se do të ketë aksione simbolike në protestë duke shprehur pakënaqësinë por pa dhunë ndaj policisë.
“Sigurisht “kallja” më e madhe [për Qeverinë] do të jetë pjesëmarrja masive e qytetarëve” tha ndër të tjera Molliqaj./Telegrafi/