Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se nëse Gjykata Speciale është e Kosovës, atëherë ajo mundet dhe duhet të shpërbëhet nga institucionet e kësaj të fundit.
E nëse një gjë e tillë nuk është e mundur, sipas tij, kjo gjykatë duhet të trajtohet si invazion institucional.
Tutje, Molliqaj, ka thënë se gjykata në fjalë është formuar për ta dënuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Aktgjykimi dënues ndaj udhëheqësve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë as me të vërtetën. Asnjëra nga këto nuk mund të vijë nga Gjykata Speciale. Kjo Gjykatë është bërë për ta dënuar UÇK-në”, ka shkruar tutje i pari i PSD-së në llogarinë e tij në Facebook.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë shpallur fajtorë ish-udhëheqësit e OVL e UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.
Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për publikimin e dokumenteve të Speciales.
Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, dhe dënim me gjobë prej 100 eurove. Në dënim do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.
Gucati e Haradinaj u shpallën të pafajshëm vetëm për një pikë të aktakuzës, saktësisht pikën 4 “hakmarrje”.
Sipas trupit gjykues, Gucati e Haradinaj qëllimshëm kishin zbuluar informacionet e mbrojtura dhe rrezikuan dëshmitarët. Është konstatuar edhe pengesa e zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare. /Telegrafi/