Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një shënimi në Facebook ka kritikuar Qeverinë pasi sipas tij gjatë krizës më të madhe energjetike, ajo rezulton se ka eksportuar rrymë në vlerë 10 milionë euro.
Për më tepër Molliqaj thotë se ky eksport është bërë në kohën që ka munguar blloku B2.
“Si ka mundësi që gjatë muajit janar, kur Kosova ka shpenzuar në pik-un e saj 1300mWh, ndërsa ka prodhuar rreth 650mWh në mungesë të Bllokut B2, kemi eksportim në vlerë prej 10 milionë eurosh të energjisë elektrike?”.
Politikani opozitar thotë se nëse eksportimi është bërë gjatë natës kur ka më pak kërkesa për konsumim të energjisë, e njëjta gjë është dashur të ndodh edhe për muajin shkurt.
“Nëse kjo ka ndodhur gjatë periudhës kur përdorimi i energjisë është më i ulët atëherë pse nuk figuron po e njëjta shifër edhe gjatë shkurtit, kur tashmë B2 ka qenë në funksion, shpenzimi ka qenë i njëjtë sepse temperaturat atmosferike kanë qenë po aq të ulëta sa në janar?”, ka shënuar tutje Molliqaj./Telegrafi/