Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
Molliqaj ka thënë se mbajtja ose jo e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk përben risi, transmeton Telegrafi.
“Zgjidhja përfundimtare nuk ka alternativë. Ngjarjet e fundit lidhur me mbajtjen ose jo të referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës nuk përbëjnë risi, e as shancë për dëshmim të sovranitetit. Vendet e banuara me serbë, sidomos pjesa e veriut të Mitrovicës, janë më të instrumentalizuarat në periudha të tilla. Dhe për çudi si nga Vuçiqi edhe nga Kurti.
Që ta themi hapur, pa bërë obstruksione, as lejimi, as ndalimi i mbajtjes së referendumit nuk prodhon zgjidhje. Një qasje e tillë vetëm sa garanton përsëritje”, ka pohuar ai.
Molliqaj tutje ka shkruar se, lejimi i referendumit cenon sovranitetin, por në rrethanën e shtresëzuar, sidomos në veri, as ndalimi nuk paraqet diçka më tepër se një gjest politik për konsum.
“Këto veprime do të lexoheshin krejt ndryshe nën dritën e një projekti politik që e vendosë zgjidhjen politike në qendër të angazhimit. Që çel mundësi për marrëdhënie të reja dhe të drejta mes Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje përfundimtare është urgjente. Marrëveshja përfundimtare do ta prodhonte edhe një efekt i cili pamundëson forcimin e liderëve politik përmes projektimit të rreziqeve të jashtme. Vonesa e zgjidhjes po i mbanë vendet të ngulfatura”.
Kreu i PSD-së shton tutje se, insistimi i Kryeministrit për konsensus është nevojë për shpërndarje të përgjegjësisë.
“Sikur kjo të ishte qasja e përgjithshme e qeverisjes, do ta kishim parë në segmente e momente tjera, jo vetëm për dialog. Si u bë që në raport me pushtetin e brendshëm, ka bunkerizim dhe përqendrim pushteti, ndërsa në raport me temat nacionale – ndërkombëtare, shpërndarje të vendim-marrjes. Pushtetin për vete, përgjegjësinë (lexo: fajin) me tjerët. Përgjigja e opozitës, si në kor, normalizon metodën.
Qytetarët, andej e këtej kufirit, kanë nevojë për rezultate që prekin jetën e përditshme në kuptimin e mirëqenies dhe marrëdhënieve mes popujve. Barazia duhet të jetë ajo që kornizon marrëveshjen përfundimtare. Barrikadimi nuk është zgjidhje. Përkundrazi. Në kontekstin aktual politik, në dy vendet, vetëm sa ushqen imazhet e liderëve autoritar. Efektet dhe tensionet e krijuara janë material për keqpërdorim”, përfundon reagimi i Molliqajt në Facebook. /Telegrafi/