Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se komunat në veri janë futur në karantinë për shkak të coronavirusit me urdhër të Beogradit dhe se ky është cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.
Molliqaj ka thënë se ky veprim i Beogradit është i papranueshëm.
“Çka është edhe më shqetësues është fakti që Kurti dhe VV nuk e thanë as edhe një fjalë për këtë gjë. Kjo parti që proklamonte me zell idenë e bashkimin e Mitrovicës, ide mbi të cilën është rritur politikisht dhe me vota, sot zgjedh heshtjen përballë veprimeve të dëmshme të Serbisë. VV tani po sillet sikur veriu i Kosovës nuk është as pjesë e jona, sikur qeveria e udhëhequr prej tyre nuk e ka për obligim që të ndërmerr veprime për të parandaluar cenimin e integritetit e sovranitetit të Kosovës e në anën tjetër mundohet me çdo kusht të sabotoj dialogun me Serbinë i cili do të mund të ndalonte përfundimisht këto veprime të Serbisë”, ka shkruar Molliqaj në Facebook, përcjell Telegrafi.
Tutje , Molliqaj ka thënë se duhet filluar negociatat me Serbinë në mënyrë që të ketë zgjidhje sa më shpejtë.
“Një sjellje e tillë e Serbisë është rrezikshme. Nën petkun e COVID-19, duke shfrytëzuar frikën e qytetarëve, Serbia po rrit ndikimin e autoritetin e saj mbi komunat e veriut. Neve na duhet një zgjidhje e përhershme kundrejt Serbisë prandaj dhe duhet të fillojmë negociatat që ta arrijmë këtë zgjidhje sa më shpejtë. Ndryshe, me veprimet e Serbisë dhe mosveprimin e Kosovës, nuk mund të quhemi as të pavarur e as sovran”./Telegrafi/