Site icon Telegrafi

Molliqaj: Kemi kushtëzuar Qeverinë për pasardhësin e Rikalos në Ministrinë e Bujqësisë (Video)

Deputeti i PSD-së në Kuvendin e Kosovës, Dardan Molliqaj ka thënë se ky subjekt politik ka kushtëzuar Qeverinë për ministrin e Bujqësisë.

Molliqaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se kushtëzimi i PSD-së për Qeverinë është që Ministria e Bujqësisë nuk guxon t’i mbetet Listës Serbe në asnjë mënyrë.

“Ne kushtëzuam që të shkarkohet Rikalo dhe poashtu kushtëzuam që kjo Ministri të mos i jepet më Listës Serbe. A i jepet dikujt nga minoriteti serb, që e pranon Kosovën, apo ndonjë subjekti tjetër shqiptar, është çështje që neve nuk na intereson. Por, ajo që na intereson është se ky dikaster nuk duhet të merret nga dikush tjetër i Listës Serbe”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i PSD-së ka thënë se PSD si alternativë e ka pasur edhe një ofertë që i është bërë asaj nga koalicioni qeverisës.

“Kishte ofertë prej një viti rresht nga koalicioni qeverisës për bashkëpunim me ta dhe futje në Qeveri, ku ne mund të merrnim hapësirë të madhe në pushtet. Por, ne me futje në Qeveri nuk do të ndikonim shumë në jetën e qytetarëve”.

Molliqaj thotë se PSD vendosi të mos hyjë në Qeveri, por të vendos kushte që koalicioni qeverisës t’i plotësojë, e përfitues të jenë qytetarët./Telegrafi/

Exit mobile version