Site icon Telegrafi

Molliqaj: Haradinaj nuk u deklarua për dënimin e aktivistëve dhe arrestimin e deputetëve të VV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Dardan Molliqaj, ka kritikuar heshtjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me rastin e dënimit të aktivistëve të VV-së, ditë më parë dhe urdhërarrestin e sotëm të Gjykatës Themelore për tre deputetët e kësaj lëvizje.

Ai në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, ishte ai i cili dikur ishte sipas tij, përkrah deputetëve që kundërshtonin ‘Zajednicen’ dhe Demarkacionin.

“Ramushi nuk u deklarua për rastin e parë e nuk po deklarohet as për këtë të dytin. Mbase tash ai ka ndërruar qëndrim për këto marrëveshje dhe më shumë merret me emërimin e zëvendësministrave sesa me këto tema”, ka shtuar Molliqaj.

Ai ka shkruar se “përderisa dikur deklaronte se sistemi i drejtësisë është i kapur, ai sot po e mundëson vazhdimin e kësaj kapjeje”.

“Nuk ka as edhe një dallim të vogël në sistemin e drejtësisë. Ashtu siç dikur na persekutonin para dhe pas protestave, edhe tash po na persekutojnë para dhe pas zgjedhjeve. Herë me Ramushin kryeministër e herë me Isën, ‘klani Pronto’ po e vazhdon kapjen e institucioneve dhe persekutimin e Lëvizjes sonë. Por kot e kanë, nuk na ndalin dot. Deri në çlirimin e plotë të institucioneve”, ka shkruar Molliqaj.

Ndryshe, sot Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest për deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu.

Vendimi i gjykatës erdhi pasi të akuzuarit nuk janë paraqitur në seancë, edhe pse kjo gjykatë kishte lëshuar një urdhër për ardhje me detyrim në seancë.

Tre nga katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u paraqiten sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Në seancë ishte i pranishëm vetëm deputeti, Faton Topalli.

Ndërkohë, në seancë sot nuk u paraqitën as të dëmtuarat e këtij rasti, deputetet e PDK-së, Flora Brovina e Blerta Deliu-Kodra.

Ndryshe, seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje është shtyre në afat të pacaktuar deri në krijimin e kushteve për mbajtjen e seancës./Telegrafi/

Exit mobile version