Telegrafi

Molliqaj: Glauku ma pranoi se kishte qene pjesë e SHIK-ut, e donte një formulë për të mos u larguar nga Vetëvendosje (Video)

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj pasi ka folur sot në Kuvendin e Kosovës për siç pretendon ai ”Se Glauk Konjufca ishte pjesë e SHIK-ut, sonte në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka sqaruar detaje të tjera për këtë rast.

Molliqaj ka thënë se ka qenë i detyruar të thotë “një të vërtetë”, pasi Konjufca dhe të tjerët nga Vetëvendosje u kanë ikur përballjeve televizive me të për çështjet që e kanë akuzuar.

“Nuk duan të ballafaqohen për asnjë çështje. Në Kuvend nuk mundën ta bëjnë një gjë të tillë, pos që kanë mundur të ikin. Por heshtja e tyre sot është aprovim për ato që unë kam thënë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i PSD-së, ka thënë se për të kjo është një çështje e mbyllur dhe Konjufca dhe të tjerët le të përballen me elektoratin e tyre për ato që ai ka thënë.

“Mund ta konfirmojë kudo, se kjo është një e vërtetë absolute dhe e pamohueshme. Në pjesën e dytë që kam pasur ta lexoj në Parlament është se dhjetëra deputetë nga të gjitha partitë e kanë ditur se Glauku ka qenë pjesë e SHIK-ut, madje ka diskutuar vet me ta për këtë çështje”.

Molliqaj ka thënë se dy javë para se grupi i deputetëve që tashmë janë në PSD të largohen nga Vetëvendosje, e ka kuptuar se Glauk Konjufca kishte qenë pjesë e SHIK-ut.

“Ka qenë një bisedë mes nesh. Glauku ishte personi që dëshironte të gjendej një formulë për të qëndruar bashkë. I thashë Glauk akuzat kanë shkuar shumë larg, dhe nuk ka më dashamirësi për të pasur bashkëpunim. Aty ishte momenti kur Glauku më tha “çka po ta ndinë. Unë kam qenë vetë këtu, këtu, këtu…”, i tregoi vetë të gjitha historitë dhe detajet që më pas u konfirmuan”.

“…Unë u befasova për një fakt, pasi me rregullat e Vetëvendosjes është dashur të tregohet gjithçka nga e kaluara, pasi edhe një çështje personale mund të bëhet politike”, tha ndër të tjera Dardan Molliqaj./Telegrafi/