Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka ftuar të gjithë ata që janë kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që të bëhen bashkë në organizimin e protestave.
Kjo pasi siç ka thënë ai, nga foltorja e Kuvendit në seancën e së enjtes, kryeministri Albin Kurti e ka shpallur planin.
Sipas Molliqajt, edhe për skeptikun e fundit, tashmë është e qartë që “Asociacionin e bën Albin Kurti”.
“Por, paska vendosur kushte për formimin e Asociacionit. Dhe kushtet që na i paska! Kur ky thotë njohja si kusht, e ka fjalën për planin franko-gjerman. Kur ky thotë nuk ka asociacion monoetnik, po thërret që duhet t’i ndërrohet emri. Kjo është mënyra e tij e operimit. Nuk ka vend për befasi. Logjika doli zhveshur”, ka shkruar i pari i PSD-së në Facebook.
Tutje, ka thënë se plani dhe Asociacioni janë pranuar, ndërsa ka pyetur Kurtin se cila është dita e nënshkrimit.
“Tregoje datën! Ftojmë të gjithë ata që janë kundër Asociacionit të bëhemi bashkë në organizimin e protestave. Kundërshtimi dhe organizimi janë në horizont”, ka përfunduar Molliqaj. /Telegrafi/