Site icon Telegrafi

Molliqaj: Deri në fund të vitit PSD do të shtrihet në 27 komuna

Deputeti i Partisë Social Demokrate (PSD), Dardan Molliqaj në një konferencë për media tha se PSD-ja deri në fund të këtij viti do të shtrihet në 27 komuna, me 27 degë të saj.

Në konferencë u prezantuan pesë degët e PSD-së të hapura në Gjilan, Therandë, Fushë Kosovë, Mitrovicë dhe Lipjan.

Molliqaj ka thënë se më 10 tetor, PSD-ja do ta hap degën e saj edhe në Prishtinë.

Ai theksoi se qytetarëve të Kosovës shteti ua ka kthyer shpinën dhe se PSD-ja po kujdeset që vlerat të përcillen në mënyrë demokratike.

“Kjo është konferenca e parë e PSD-së, në zyrën për media. Nuk mund të kemi asnjë ide të qëndrueshme e cila nuk përcillet dhe nga një organizim i fuqishëm, duhet të jetë dhe demokratik. Ne si PSD, po kujdesemi që vlerat tonë të përcillen në mënyrë demokratike. Një sistem i cili mbledh buxhetin nga shumica e varfër dhe e shpenzon atë për të pasurit është sistem oligarkik. Qytetarëve të Kosovës, shteti ua ka kthyer shpinën. Qeverisja që të quhet demokratike, duhet të punoj për shumicën. Social demokracia ofron, dijen, shëndetin, arsimin, ekonominë etj…PSD-ja do të shtrihet në 27 komuna në territorin e Kosovës, me 27 degë dhe pastaj do të filloj puna e madhe”, ka thënë Molliqaj.

Deputeti i PSD-së i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë bindje dhe vlera të njëjta që të jenë pjesë e kësaj partie.

“I bëj thirrje secilit qytetarë i cili ndan bindje dhe vlera të njëjta me ato që i proklamon PSD të ndjehet rehat që t’i bashkohet përpjekjes tonë serioze dhe të sinqertë, të jetë shumica që drejton vullnetin e saj politik. Që të ndërtohet një objekt i së ardhmes. Nesër do të jemi në hapjen e zyrës në Kamenicë, 10 tetor do të hapet dega në Prishtinë e kështu me radhë”, theksoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version