Deputeti i Partisë SocialDemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka theksuar se çdo ditë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në qeverisje e dëmton Kosovën.
Ai këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook.
Molliqaj ka thënë Kosova dëmtohet nga mosthirrja e seancës së Kuvendit, e cila sipas tij, ia pamundëson Thaçit vazhdimin e negociatave për falje të territorit të Kosovës.
Më poshtë munda ta lexoni postimin e plotë të Molliqajt:
Njeriu që më së shumti i bën dëm Kosovës, Kadri Veseli, paska deklaruar se thirrja e seancës së jashtëzakonshme është në dëm të Kosovës.
Qeverisja e PDK-së, herë në krye me Thaçin e herë me Veselin janë dëmtuesit më të mëdhenj të vendit tonë.
– Shkatërruan ekonominë tonë duke privatizuar (falur) shumicën e ndërmarrjeve shoqërore e publike;
– Punësuan miq, kunata e militantë partiak nëpër të gjitha institucionet shtetërore;
– I mbytën bizneset vendore dhe investimet potenciale të huaja dhe vendore duke iu kërkuar haraç dhe duke mos i mbështetur ato;
– Përkundër dëshmive të publikuara në aferën Pronto, asnjë politikan nuk u arrestua apo gjykua për krim e korrupsion;
– Shkatërruan shëndetësinë publike, ndërsa vet mjekohen në spitale evropiane;
– Shkatërruan sistemin e edukimit publik, e në të njëjtën kohë fëmijët e tyre i dërgojnë në shkolla të shtrenjta private, etj.
Pra, dëm për Kosovën nuk është thirrja e seancës e cila ia pamundëson Thaçit vazhdimin e negociatave për falje të territorit të Kosovës. DËM për Kosovën është çdo ditë e PDK-së në qeverisje. Prandaj, nuk do të ndalemi që qeverisja e tyre të marrë fund sa më shpejt. /Telegrafi/