Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, nuk u shkarkua as kur u protestua dhe u organizua mocion në Kuvend, kundër tij.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Dardan Molliqaj ka thënë se falë Partisë Socialdemokrate Rikalo u shkarkua dhe se falë tyre po pamundësohet ndikimi i Listës Serbe.
Molliqaj ka arsyetuar shkarkimin e ministrit, por nuk ka thënë asnjë fjalë se pse po e shpëtojnë Qeverinë.
Postimi i plotë i Molliqajt:
“Kushti 1: Shkarkohet Rikalo ✅
Për shkarkimin e ministrit Rikalo u organizuan protesta e mocion në Kuvendin e Kosovës, por pavarësisht këtyre, ai vazhdoi ta mbante postin e ministrit.
Falë Partisë Socialdemokrate, Rikalo sot u shkarkua dhe njëkohësisht po pamundësohet ndikimi i Listës Serbe në shtetin tonë, sepse tash e tutje, kjo ministri nuk do të udhëhiqet nga Lista Serbe.
Ata që dikur ishin për shkarkimin e Rikalos, sot nga xhelozia e suksesit të partisë sonë, çuditërisht kanë ndërruar qëndrim dhe po mundohen që këtë shkarkim ta zbehin dhe ta paraqesin si të parëndësishëm. Por dallimi është se ata vajtojnë, ndërsa ne arrijmë rezultate konkrete ????
Sidoqoftë, fuqia e Partisë Socialdemokrate po shihet dita ditës. Ministria e Bujqësisë duhet të rifunksionalizohet dhe të hetohen të gjitha keqpërdorimet milionëshe. Nuk do të ketë vend në institucionet e Kosovës për njërëzit e dyshuar për krime ndaj shqiptarëve dhe keqpërdorime milionëshe të buxhetit tonë. Urime????”, ka shkruar Molliqaj.
Shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ishte vënë kusht PSD-ja me qëllim që ta votonte Buxhetin e vitit 2019, që pritet të bëhet sot në seancën e Kuvendit.
Përndryshe, vetëm katër ditë pasi Ramush Haradinaj si kryeministër kishte prezantuar ministrat e tij, ishte pikërisht Rikalo që mori vëmendjen më të madhe.
Banorët e lagjes ‘Dardania’ në kryeqytet, e njihnin shumë përpara Rikalon, por jo si komshiun e mirë.
Pretendimet për krime lufte, aktivizuan Prokurorinë, dhe dëshmitarë filluan të merren në pyetje./Telegrafi/