Site icon Telegrafi

Molliqaj: Agjenda e kësaj qeverie është që të kontrollojë secilën pjesë të shoqërisë që merret me jetën publike

Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike. 

Molliqaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se është problem serioz që Qeveria po tenton të kontrollojë gjithçka.

“Për mua është e qartë që pushteti i Kosovës ka me tentua në çdo moment me kontrollua agjendën e secilës pjesë të shoqërisë që merret me jetën publike përfshirë opozitën, mediat e secilën”, tha ai, përcjell Telegrafi.

“Nuk është problem nëse pozita ja voton apo jo komisionin hetimor opozitës. Problem është se pozita i tregon opozitës pse nuk duhet të ketë komision në këtë kohë dhe ata duhet të merren me diçka tjetër”, shtoi Molliqaj.

Ai thotë se për shkak të luftës në Ukrainë, pozita po kërkon që opozita t’i përshtatet agjendës së saj.

I pari i PSD-së thotë se faji i LDK-së është që ja ka mundësuar LVV-së të bëjë presidente Vjosa Osmanin.

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për papërgjegjshmëri në shumë dikastere.

Ai ka thënë se ministrat e punëve të Jashtme dhe të Brendshme janë shumë te papërgjegjshëm me deklarata.

“Ministri i Punëve të Brendshme dhe kryepolici dalin dhe thonë: “kemi pasur sulm terrorist”. Ky është mashtrimi më i madh që mund të bëhet. Ka përkufizime të qarta se çfarë është sulmi terrorist”.

Lexo po ashtu LVV: Opozita tentoi kundërligjshëm të formojë Komisionin Hetimor – edhe abuzues edhe demokratik nuk rrinë bashkë

“E para, sulmi terrorist bëhet ndaj vendeve publike civile i artikuluar përmes një qëndrimi publik. Pra duhet të ketë një organizatë që shpreh qëllime dhe ka për tendencë të bëjë frikësime ndaj kujtdo qoftë. Ne nuk kemi parë ndonjë organizatë apo grupim publik, politik e ushtarak që kanë thënë diçka. Nuk është sulmuar asnjë vend publik ku qëndrojnë qytetarët”.

I pari i PSD-së thotë se edhe vrasja e Enver Zymberit nuk konsiderohet akt terrorist, por ai ishte një akt kriminal.

“Akti terrorist nuk është më i keq se kati kriminal apo cenimi i sovranitetit si në rastin e vrasjes së Enver Zymberit”.

Ndryshe, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se ka elemente të sulmit terrorist në veri.

“Në sulmin ndaj policisë në veri ka elemente të terrorizmit. Ai sulm nuk ka rrezikuar vetëm policinë doganierët apo inspektorët sanitarë, por edhet qytetarët që kanë qasje në atë rrugë. Pra vendosje e iriqëve apo përdorja e granatës janë elemente të terrorizmit”, ka deklaruar Ibishi./Telegrafi/

Exit mobile version