“Njerëzit e irrituar nga varfëria e papunësia, si dhe shumë elemente të tjera, si korrupsioni qeveritar, nuk jam i mendimit se duhen sulmuar. T’i sulmosh ata është një mizori, një terror dhe ne nuk mund ta pranojmë”, i tha ish-presidenti televizionit Top Channel.
Moisiu tha se puçi nuk bëhet me çadra, por me tanke, artileri e ushtri, duke shtuar se nuk duhet të sulmohen institucionet e shtetit, “por edhe shteti nuk duhet ta sjellë irritimin e qytetarëve në atë shkallë”.
Sipas tij, garda u keqpërdor dhe hapi zjarr ndaj njerëzve të pafajshëm. Moisiu tha se protestuesit mund të ishin shpërndarë me gaz lotsjellës, por shtoi se policët nuk kishin maska dhe si rezultat i kësaj ata dëmtuan edhe veten.
“Unë nuk e kuptoj përse garda duhet të qëllonte me armë zjarri. Gjithashtu, më bëri përshtypje se policia përdori gazin lotsjellës dhe policët nuk kishin maska anti-gaz. Pastaj u sulmua me armë, garda nuk mund të sulmojë. Të vrarët ishin jashtë kryeministrisë. Them se garda u keqpërdor”, tha Moisiu.
Mosrespektimi i urdhrave të ndalimit nga prokuroria për drejtuesit e gardës, për ish-presidentin është më e rëndë se ajo që ndodhi në 21 janar. “Nëse hapja e zjarrit dhe vrasja e njerëzve ishte shumë e rëndë, më e rëndë është mosrespektimi i urdhrit të prokurorisë. Prokuroria është një organ kushtetues dhe asnjë s’ka të drejtë të mos zbatojë urdhrin e saj, përveç gjykatës”, tha Moisiu.
Ish-presidenti tha se takimi me ushtarakët në detyrë është kategorikisht i ndaluar. “Më ka befasuar takimi mes kryeministrit dhe komandantëve të ushtrisë, sepse nuk ka punë ekzekutivi me Forcat e Armatosura, për t’i motivuar ata me politikën shqiptare”, tha ai duke shtuar se vendi duhet të mbajë zgjedhje të parakohshme pasi ndodhet në krizë. /Telegrafi/