Telegrafi

I mohohet goli i rregullt në minutat shtesë ndaj Serbisë, Ronaldo ndëshkohet me të verdhë dhe lë fushën i tensionuar

Cristiano Ronaldo doli jashtë fushës në fund të ndeshjes kualifikuese të Portugalisë për Kupën e Botës “Katar 2022” kundër Serbisë.

Portugalia nuk ka arritur të mbajë epërsinë prej dy gola dhe ka barazuar në udhëtim te Serbia me rezultat 2-2 në ndeshjen e Grupit A.

Megjithatë, mysafirët portugez mund ta fitonin lojën në minutat shtesë sikurse gjyqtarët të ishin më të vëmendshëm.

Lexo po ashtu Portugalia barazon në udhëtim te Serbia

Ronaldo ishte i saktë duke quar topin brenda portës në minutat shtesë, por ky gol nuk u pranua nga gjyqtarët me pretendimin se topi nuk kaloi vijën fatale.

Ky mos-pranim i golit e tërboi Ronaldon, i cili pas reagimeve të tij u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari kryesor.

Sulmuesi i Juventusit ishte i bindur se goditja e tij kishte kapërcyer kufirin e portës dhe goli do të pranohej për rezultat 3-2.

Sidoqoftë, për shkak të faktit se nuk kishte asnjë teknologji të vijës së golit ose VAR, goli nuk u pranua dhe Portugalisë iu mohuan dy pikë të vlefshme.

Ky rast po komentohet shumë në rrjetet sociale duke bërë bujë të madhe. /Telegrafi/