Site icon Telegrafi

Mohammed bin Salman frikësohet se do të vritet nëse njeh shtetin e Izraelit

Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman (MBS) thuhet se u ka thënë diplomatëve amerikanë që e vizituan se po frikësohet se do të vritet pasi po kërkon normalizim të marrëdhënieve me Izraelin.

Sipas një raporti të Politico, duke cituar tre persona të informuar mbi bisedimet, princi i kurorës tregoi se ai ende synon të ndjekë lidhjet me Izraelin, edhe pse ka frikë se kjo mund t’i kushtojë jetën.

Bin Salman, i quajtur zakonisht MBS, thuhet se përmendi të paktën një herë vrasjen e presidentit egjiptian, Anwar Sadat, i cili u vra në vitin 1981, dy vjet pasi nënshkroi marrëveshjen e paqes me Izraelin.

Princi i kurorës thuhet se ka përmendur rrezikun e vrasjes për të shpjeguar pse çdo marrëveshje normalizimi midis Riadit dhe Tel Avivit duhet të përfshijë një “rrugë të vërtetë drejt një shteti palestinez”, diçka që qeveria aktuale izraelite e kundërshton publikisht.

“Mënyra se si ai e shprehu ishte ‘sauditët kujdesen thellësisht për këtë dhe rrugët anembanë Lindjes së Mesme kujdesen thellësisht për këtë, dhe mandati im si kujdestar i vendeve më të shenjta të Islamit nuk do të jetë i sigurt nëse nuk trajtoj atë që është më e rëndësishmja, çështje urgjente e drejtësisë në rajonin tonë”, citoi Politico të thoshte një burim i njohur me bisedimet.

Përkundër kësaj, thuhet në raport, MBS “duket se synon të arrijë një mega-marrëveshje me SHBA-në dhe Izraelin”, të cilën ai e sheh si “vendimtare për të ardhmen e vendit të tij”.

Normalizimi izraelito-saudite ka qenë prej kohësh një synim i dëshiruar i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Megjithatë, kryeministri ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur një shtet të ardhshëm palestinez, duke e bërë një marrëveshje të tillë një ndërmarrje të komplikuar dhe të vështirë.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se Arabia Saudite dëshiron “njohjen e plotë të Izraelit” në këmbim të garancive të sigurisë nga Uashingtoni dhe krijimin e një objekti bërthamor civil.

Para luftës në Gaza, dukej se normalizimi ishte afër. Dy ministra izraelitë bënë vizita publike në ‘mbretërinë e shkretëtirës’ vetëm disa ditë para se të shpërthente lufta më 7 tetor. /Telegrafi/

Exit mobile version