Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ka vlerësuar sot se tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të larta, por të dyja palët po tregojnë vendosmëri dhe po punojnë në procesin e dialogut që për qëllim ka përmirësimin e jetës së njerëzve në terren.
Ajo ka përsëritur se me rastin e incidentit të së shtunës, kur forcat e armatosura të Policisë së Kosovës, ROSU, ndaluan trenin që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës, ka folur me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton lajmi.net.
“Mesazhi për të dy palët ka qenë që të heqin dorë nga përkeqësimi i situatës, që t’i shmangin hapat dhe mesazhet dhe që së bashku të angazhohen që me dialog të sjellin rezultate për të dyja palët. Kjo jo vetëm për institucionet e të dyja palëve, por edhe për njerëzit”, ka thënë ajo në Bruksel.
Sipas saj, ajo është e bindur se dialogu në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë.