Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini , ka deklaruar se angazhimi i dy takimeve të fundit në kuadër të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sot ka sjell rezultate. Sipas saj, rrënimi i murit në veri është zbatim i asaj për çfarë janë marrë vesh në Bruksel.
“Zbatimi i asaj që është rënë dakord filloi menjëherë dhe punimet kanë filluar në mënyrë efektive sot. Kjo do të kontribuojë për lirinë e lëvizjes, kontaktin në mes njerëzve dhe përfundimisht pajtimin, si dhe do të përfitojnë të gjithë qytetarët e veriut dhe jugut të Mitrovicës”, ka deklaruar Mogherini.
Ajo ka shtuar se “liderët në rajon kanë treguar guxim dhe vizion duke rrënuar mure dhe duke u fokusuar në ndërtimin e urave”.
“Kjo është shumë fryma e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka theksuar Mogherini, transmeton KosovaPress.