Site icon Telegrafi

Mogherini thotë se liderët e Ballkanit Perëndimor mbështesin marrëveshjen Kosovë – Serbi

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se liderët e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar se nuk do të ndërmarrin veprime në kundërshtim të interesit të rajonit.

Sipas njoftimit nga zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, në këtë takim liderët kanë shprehur mbështetje për dialogun Kosovë – Serbi.

“Liderët janë pajtuar me Përfaqësuesen e Lartë në nevojën për zhvillimin e progresit dhe vazhdimin e fokusit në rrugët drejt Bashkimit Evropian dhe reformat e nevojshme të brendshme, në funksion të arritjes së progresit në kohë për Këshillin e qershorit 2019”, thuhet në njoftim.

“Federica Mogherini theksoi se partnerët e Ballkanit Perëndimor, tani më shumë se kurrë duhet të punojnë bashkë për të çuar përpara objektivin e përbashkët të integrimit në BE, për të konsoliduar paqen dhe sigurinë dhe për të investuar në bashkëpunimin e mëtejmë rajonal, për të mirën e të gjithë qytetarëve të rajonit”, thuhet në njoftim.

Më tej aty thuhet se liderët e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur mbështetje të fortë për Marrëveshjen e Prespës dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjore në dialogun Prishtinë – Beograd.

“Liderët janë angazhuar për të punuar për të çuar përpara marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të pajtimit duke u përmbajtur nga të gjitha veprimet dhe deklaratat që nuk janë të favorshme për interesat e përgjithshëm dhe objektivat strategjikë të rajonit”, thuhet tutje në njoftim.

Exit mobile version