Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka konfirmuar udhëtimin zyrtar që ka pasur në Washington DC gjatë të martës, ku ka zhvilluar takim bilateral me Sekretarin amerikan të Shtetit, Michael R. Pompeo, si pjesë e një dialogu të rregullt të nivelit të lartë transatlantik, ku gjithashtu pjesë e takimeve ishte edhe këshilltari i presidentit amerikan, Jared Kushner.
Në një takim pozitiv dhe konstruktiv, Përfaqësuesja e Lartë dhe Sekretari Pompeo riafirmuan angazhimin e tyre për një partneritet të fortë strategjik transatlantik, ku diskutuan fushat kryesore të bashkëpunimit bilateral dhe një numër zhvillimesh të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, Venezuelën, Afganistanin, Libinë, Moldavinë, Rusinë dhe Ukrainë. Ajo gjithashtu e informoi për punën e Bashkimit Evropian sa i përket fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, transmeton Telegrafi.
Federica Mogherini gjithashtu është takuar me këshilltarin e presidentit amerikan, Jared Kushner për të diskutua për situatën në Lindjen e Mesme. Ajo nënvizoi interesim themelor të Bashkimit Evropian për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Në këtë kontekst, BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me administratën amerikane. /Telegrafi/