Site icon Telegrafi

Mogherini: BE përgatit sanksione të reja kundër Koresë së Veriut

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini njoftoi se BE-ja po përgatit sanksione të tjera në përgjigje të testit të fundit bërthamore të Koresë së Veriut, që do të kompletojnë sanksionet e parashikuara në OKB, njoftoi ajo në Talin.

“Sot, do t’i propozoj ministrave të punojnë në ditët e ardhshme të rrisin sanksionet autonome të BE-së”, deklaroi ajo pas mbërritjes në një takim me ministrat e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme të BE-së, në Estoni.

Mogherini theksoi se duhet riforcuar presioni ekonomik kundër Koresë së Veriut duke mbështetur një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe duke miratuar masa ekonomike më të ashpra, përfshirë këtu dhe sanksione nga Bashkimi Evropian.

“Linja jonë evropiane është shumë e qartë lidhur me këtë çështje, më shumë presion ekonimik, më shumë presion diplomatik dhe unitet me partnerët tanë rajonalë dhe ndërkombëtarë”, theksoi ajo.

“Duhet shmangur hyrja në një spirale të konfrontimit ushtarak që mund të jetë shumë e rrezikshme jo vetëm për rajonin, por për mbarë botën”, nënvizoi ajo.

Exit mobile version