Telegrafi

Mogherini mbledh sot në Bruksel udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka organizuar sot një takim joformal me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku do të diskutohet për zhvillimet e fundit mes dy shteteve.

Pos Thaçit e Vuçiq, në takim do të jenë të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës, Denis Zvizdiq.

Ndryshe, një ditë më parë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Mogherini e ka devijuar dialogun dhe ka nxjerr shqetësime në rajon.

Haradinaj theksoi se procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka dalë nga binarët.

Sipas Haradinajt nuk është vonë që të kthehet korniza e dialogut, e që ka qenë normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, e jo të diskutohet për ndarje apo shkëmbim territoresh.

“…Nëse ndodh është shumë mirë, nëse jo shpresat tona janë te një përfaqësues i lartë i ardhshëm”, tha Haradinaj, duke kërkuar rol udhëheqës të QUINT-it në dialogun Kosovë-Serbi, sidomos të SHBA-ve dhe Gjermanisë. /Telegrafi/