Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ka bërë thirrje për zgjidhje urgjente të krizës në Gadishullin korean përmes rrugës paqësore dhe jo asaj ushtarake.
“Ekziston një nevojë urgjente për de-eskalimin e tensioneve në Gadishullin korean. Ky është prioritet i BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ftoj Korenë Veriore që të përmbahet nga aksionet tjera provokuese, të cilat mund të krijojnë tensione rajonale dhe globale”, thuhet në deklaratën e Mogherinit.
Ajo ka theksuar se BE-ja mbështet bashkëpunimin diplomatik me partnerët me qëllim të de-eskalimit të situatës dhe arritjes së de-nuklearizimit të plotë në Gadishullin korean përmes rrugës paqësore, transmeton KosovaPress.
“Kjo është rruga e vetme deri te paqja afatgjatë. BE është e gatshme të mbështesë procesin për krijimin e dialogut kredibil me Korenë Veriore dhe bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Mogherini.